Tuesday, May 20, 2014

SHFK “Jeronim De Rada” kampione futbolli në Maqedoni

Të shtunën, në lagjen “Aerodrom” të Shkupit, ka ndodhur mrekullia. Shkolla fillore komunale “Jeronim De Rada” nga fshati Çerkez i Kumanovës ka fituar vendin e parë në garat republikane të shkollave fillore në tërë Maqedoninë.

Në ndeshjen finale nxënësit e kësaj shkolle kanë mundur “Rosomanin” nga Kavadarci me rezultat 3-1, duke u shpallur kështu kampion të vendit. Golat janë shënuar nga Labinot Aziri (2) dhe Gentijan Pajaziti (1). Këta dy kanë qenë më të mirët në mesin e më të mirëve, pa harruar edhe “Mesin e vogël”, Egzon Osmani, i cili ka mahnitur të pranishmit me lojën e tij.

Ky sukes është meritë edhe e arsimtarëve: Ruzhdi Selmani, Memet Bajrami, Hafuz Ramadani, Rasim Demiri, të mbështetur nga drejtori Hakik Jahiu.

Po cila ka qenë rruga e këtij suksesi, të shkollës së vyeshme “Jeronim De Rada” nga Çerkezi?

Fillimi i këtij suksesi fantastik nisi me garat për nder të 7 marsit në komunën e Likovës, ku prej 12 shkollave ata zunë vendin e parë. Sukseset e tyre vijuan në komunën e Kumanovës në futboll të madh. Nga 6 shkolla pjesëmarrëse “Jeronim De Rada” sërish doli e para.

Surprizat kanë vazhduar në garat zonale, të mbajtura në Rankovcë-Kratovë, ku  prej dy ekipeve fituan vendin e parë, dhe ato ndërzonale në Orizari-Koçanë, duke fituar po vendin e parë në një konkurrencë prej katër ekipeve.

Dhe, krejt në fund, si “kremi mbi tortë”, vjen titulli i kampionit i fituar në lagjen “Aerodrom”, ku nga katër skuadra finaliste shkolla fillore komunale “Jeronim  De Rada” ngjitet në krye të klasifikimit.

Gëzimi pas këtij triumfi ishte i madh, pasi askush nuk e kishte pritur një surprizë kaq të madhe, ndërsa festa me siguri do të vazhdoj edhe në ambientet e shkollës në ditët në vijim.

Sfida e radhës për shkollën fillore komunale “Jeronim De Rada” do të jetë gara ballkanike, e cila më vonë do të zhvillohet në Shqipëri.